Loading....

Misioni

MISIONI DHE VEPRIMTARIA E DEPARTAMENTIT

Departamenti i Theologjisë Sociale & Shkencat Religjioze i përket Fakultetit të Shkencave Humane të Kolegjit Universitar Logos. Departamenti ynë siguron një program studimi tre-vjeçar në Theologji, i njohur nga shteti Shqiptar dhe i cili operon sipas sistemit të Bolonjës. Fillimi zyrtar i kurseve në rrethanat e reja ishte më 15 tetor 2018. Departamenti është i vendosur në një kompleks ndërtesash moderne përreth Manastirit të Shenjtë të Shën Vlashit, në fshatin me të njëjtin emër, 5 minuta larg nga qyteti i Durrësit.

Megjithatë, përpara se Departamenti i Theologjisë të njihej si një institucion akademik nga shteti shqiptar në mjediset e Shkollës, në Manastirin e Shenjtë të Shën Vlashit, Akademia Theologjike operonte dhe vazhdon të funksionojë, në mënyrë që të trajnojë vullnetarë të rinj dhe besnikë në kryerjen e shërbimeve kishtare, duke i përgatitur ata për të ofruar shërbimet e tyre në tempuj të shenjtë. Me kalimin e kohës shumë prej tyre u dorëzuan priftërinj. Kjo përpjekje filloi më 7 shkurt 1992. Në vitin 1996 Shkolla u zhvendos në mjedis të ri në Manastirin e Shenjtë të Shën Vlashit në një kompleks shumëfunksional, i cili ishte një nga komplekset arsimore më bashkëkohore të asaj kohe. Kryepiskopi Anastas zgjeroi objektivat e Shkollës, e cila u transformua nga një seminar mbi trajnimin e klerit të ri në Akademinë Theologjike për djemtë dhe vajzat. Pas shumë përpjekjeve të Kryepiskopit Anastas për të përmirësuar nivelin e studimeve dhe përfitimeve për studentët, u krijua një Departament i Theologjisë, e cila iu bashkua Shkollës së Shkencave Humane, me qëllim që të vazhdonte kultivimin dhe studimin e Theologjisë Orthodhokse në nivel universitar.

Studentët e Departamentit të Theologjisë Sociale & Shkencat Religjioze mësojnë rreth Theologjisë Orthodhokse dhe besimit në një mjedis të Krishterë Orthodhoks, ku ata studiojnë së bashku dhe marrin pjesë në adhurim, si të përdorin teori të ndryshme moderne të shkencave sociale dhe humane në studimin e besimit, të kuptojnë dhe të vlerësojnë Theologjinë Orthodhokse përmes hulumtimit të gjerë në Studimet Biblike dhe Patristike, në Theologjinë e Krishterë, në historinë e religjioneve, në historinë dhe traditën e Kishës së Shqipërisë, të shkruajnë dhe të shprehin opinionin e tyre me mendim kritik, gjë që i jep atyre mundësinë të zhvillojnë aftësi të reja në gjuhët e huaja, informatikë, gazetari dhe media sociale.

Një nga qëllimet e departamentit dhe profesorëve është që të përgatisë studentët të jenë përdorues të pavarur dhe fleksibël të burimeve theologjike në mënyrë që të kombinojnë njohuritë theologjike me mundësinë e dialogut dhe bashkëpunimit brenda shoqërisë.

Në përgjithësi, departamenti ynë ofron një mënyrë të krishterë orthodhokse jetese, duke pasuruar jetën mendore, morale dhe shpirtërore të studentëve, të cilët do të jenë gjenerata e re e udhëheqësve të Kishës së Shqipërisë. Studentët nuk mësojnë për theologjinë orthodhokse vetëm në klasë, por programi i Shkollës gjithashtu përfshin jetën liturgjike, pjesëmarrjen në shërbesat e mëngjesores, mbrëmësores, pasdarkës, diskutimet javore shpirtërore dhe seminaret periodike. Studentët gjithashtu marrin pjesë në programe më të gjera të edukimit të krishterë së paku një herë në javë.