Loading....

Anastasios Yannoulatos
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar “Kapodistria” të Athinës
Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës
Presidenti i Fondacionit “Logos”
Tiranë, 2012

LOGOS
PASURIA E MREKULLUESHME
DHE HORIZONTET E GJERA TË NJË FJALE

Rrallëherë has dikush një fjalë, një term, me një histori kaq shumëvjeçare dhe me nocione të shumanshme, e cila ka hyrë në gjuhën e vendeve të zhvilluara dhe mbizotëron në filozofi, teologji dhe në shkencat teorike e pozitiviste në përgjithësi. Një hulumtim i thjeshtë në internet me Google (nëntor 2012) zbulon se fjala në shkrimin fillestar, greqisht, logos, përdoret 18.300.000 herë, ndërsa në përdorimin e saj ndërkombëtar (Logos, logos) haset rreth 635.000.000 herë.

Etimologjikisht, kjo fjalë vjen nga greqishtja, nga folja "Λέγ-ειν - legin", kuptimi fillestar i së cilës është grumbullim, rreshtim i të zgjedhurve (përmbledhje, zgjedhje, përzgjedhje, zgjedhje), si edhe rezultat i funksionit intelektual që shfaqet me të folurin. Fillimisht, fjala logos bartte kuptimin e fjalimit, të shprehjes gojore, por, duke u përdorur shpesh, kuptimi i saj u përgjithësua në: shpjegim, logjikim (gjykim), konceptim, aftësi logjike. Fjala logos ka kuptim të dyfishtë: shpreh ecurinë e mendimit dhe të shprehjes. Shpreh gjithashtu mundësinë dhe përmbajtjen e përsiatjeve njerëzore dhe të mendimeve rreth natyrës, për fillimin dhe shkakun e fenomeneve e të gjërave. Përbën aksin e anës së logjikshme të njeriut. Nga fjala logos vijnë edhe një sërë termash që lidhen me të si: logjikë, logjistik, logjik, i logjikshëm - gjë që tregon gjithçka që i referohet logos-it me kuptimin e funksionit të mendjes, të intelektit, të logjikës, të aftësisë për të kuptuar të njeriut. Gjithashtu e gjejmë si fjalë përbërëse të shumë fjalëve, shkencore ose jo.

Pasuria e mrekullueshme dhe horizonti i gjerë që ka fjala logos ka qenë shkaku që u zgjodh edhe emri i Universitetit tonë. Me një kuptim të shumanshëm dhe thellësi historike, me një aktualitet që nuk shteron kurrë. Term i kuptueshëm për qytetarin e thjeshtë dhe me një përmbajtje të pashtershme për intelektualin

* * *

Shumëformësia e kuptimeve që u përmblodhën në fjalën logos gjatë kërkimit filozofik dhe teologjik të njerëzimit është veçanërisht interesante.
1. Së pari, termit logos i dha kuptim përcaktues filozofik Herakliti, filozof parasokratik (540- 480 para Krishtit). Logos, sipas tij, do të thotë rend logjik që rregullon çdo gjë që ndodh në botë. Ky rend, duke bashkërenduar të kundërtat, është "i shkëlqyer në harmoni" dhe antitezat më të mëdha përbëjnë një tërësi harmonike. Të gjitha, sipas Heraklitit, janë Një. Paralelisht me këtë kuptim kryesor filozofik, fjala logos në veprën e tij do të thotë gjithashtu edhe mendim, kuptim, mësim, marrëdhënie, edhe fjalë, sipas kuptimit të saj të zakonshëm.
Në shekullin V para Krishtit, termi logos u përdor nga filozofë dhe shkolla të ndryshme filozofike, gjithmonë me ngjyrime të reja.

Kështu, Platoni (427-347 para Krishtit) mbështeti faktin se njeriu përbëhet nga trupi dhe shpirti. Ky i fundit përfshin: anën e të menduarit, atë zemërake dhe dëshiruesen. Nga këto të tria, më kryesorja është ana e të menduarit, që quhet edhe mendje, e cila ndodhet e mbjellë brenda shpirtit. Fjala, logos-i, është ideja e epërme, element themeltar i jetës sociale dhe politike.

Në vazhdim, Aristoteli (384- 323 para Krishtit), përcaktoi logos-in, fjalën, si esencën e njeriut, diferencën e llojit që e dallon nga kafshët. Njeriu është "një kafshë që ka fjalën", theksoi ai duke shtuar se të pasurit e fjalës është cilësi njerëzore dhe në të njëjtën kohë themeli i virtytit dhe i të qenurit i lumtur. E udhëheq pjesën e palogjikshme instinktive të qenies njerëzore, duke i dhënë masën dhe harmoninë.

Stoikët (shek. i 4-t deri në shek. e 3-të p. K) i veshën termit "logos" hipostazë, i dhanë një përmbajtje antropologjike dhe kozmologjike. E konsideronin fjalën si parimin drejtues të gjithësisë, autoritetin e epërm hyjnor, që i rregullon të gjitha dhe që qeveris gjithësinë. Kështu ky term mori edhe nocion fetar; u shpjegua si "spermatikos logos" fjala që përmban farën hyjnore brenda saj, që ekziston brenda njeriut, si pjesë e frymës hyjnore që i mbush të gjitha.

Neoplatonikët, pasuesit e formës më të re të filozofisë platonike, që lulëzoi në shekujt e parë pas Krishtit në Aleksandri, e panë logos-in, fjalën, si fuqinë e epërme, që vepron në botë, nëpërmjet së cilës përcaktohet hipostaza, natyra, forma dhe lëvizja e qenieve. Për ata logos-i është "frymë në trajtë të zjarrtë" dhe pushtet jetësor, që rregullon mbarë botën, "Fjalë e gjithësisë" dhe "frymë sunduese", së cilës duhet t'i nënshtrohen pasionet dhe instinktet e njeriut

2. Paralelisht me meditimin filozofik, fjalën "logos" e përdori edhe përvoja fetare, madje duke i dhënë termit edhe kuptimin më të thellë. Në Dhiatën e Vjetër mbizotërojnë referimet te fjala e Perëndisë. Perëndia i gjallë u flet njerëzve dhe fjala e Tij vepron dhe zbulon. Rëndësia e fjalës së Tij parapërgatit ngjarjen qendrore që zbulon Dhiata e Re, se përfundimisht Logos-i, Fjala, "u bë mish".

Hapi i madh në kuptimin e termit tonë u bë nga Ungjillor Joani për të përcaktuar fillesën e gjithësisë dhe misterin e Krijuesit të saj. "Në fillim ishte Logos-i, Fjala, dhe Logos-i ishte pranë Perëndisë dhe Perëndia ishte Logos-i, Fjala" (Joan 1:1), bashkë me të gjithë analizën që e pason (1:2-18). Megjithë lidhjet e jashtme me filozofinë antike greke dhe përpunimin hebraik të bërë nga Filoni i Aleksandrisë, përfaqësuesi kryesor i filozofisë greko-judaike (shek. I para Krishtit deri në shek. I pas Krishtit), teologjia e kuptimit të fjalës merr në Ungjillin sipas Joanit një dimension të ri që ka një përmbajtje të re më se të qartë teologjike. Logos-i është Jisu Krishti, krijuesi i gjithësisë, drita dhe jeta e njerëzimit, i cili u bë njeri për shpëtimin e botës.

Koncepti i logos-it, fjalës në Shkrimin e Shenjtë, lidhet gjithashtu ngushtë me konceptet e personit, të së vërtetës, të virtytit dhe të vetë Perëndisë si person absolut.
Apologjetët e shekujve të parë të krishterë zhvilluan me një përkujdesje të veçantë doktrinën rreth Fjalës, duke ofruar një vijë ndarjeje të përafrimit teologjik të botës së krishterë me atë pagane. Pjesa më e madhe e tyre, kur i referohen marrëdhënies së Logos-it me Atin, përdorin shembullin rreth fjalës "së brendshme të zemrës dhe asaj gojore".
Studime të pafundme i janë përkushtuar dhe vazhdojnë të shkruhen mbi nocionin dhe rëndësinë në historinë e njerëzimit të termit teologjik "logos".

3. Siguria se Perëndia i përjetshëm dhe i paafrueshëm flet ndër njerëzit, se Fjala e Tij zbulon, drejton dhe gjykon, u mor më vonë nga teologjia dhe filozofia islamike brenda kornizave të ndryshme, me fjalë dhe terma të ndryshëm në një koherencë tjetër. Kryesisht, "fjala e Allahut" u njësua me Kuranin.

Gjatë periudhës së lulëzimit të dinastisë së abasidëve (shek. i 10 pas Krishtit) nisën të përkthehen në gjuhën arabike shumë vepra të filozofisë antike greke dhe të rikthehen, me një dinamikë tjetër, idetë e shekujve para krishterimit. Arabët pranuan këtë ndikim nga shkollat themelore filozofike, ato të Aleksandrisë dhe të Athinës. Por më i drejtpërdrejtë ishte ndikimi i së parës. Në përgjithësi, filozofët myslimanë përdornin elementë aristotelikë, platonikë dhe neoplatonikë sipas dëshirës së tyre. Disa theksonin përparësinë e logjikës, të tjerë të aftësisë kuptimore njohëse. Parapëlqim më të madh treguan ndaj Aristotelit dhe kryesisht, ata që ndoqën mendimin e tij janë linja që përfaqëson traditën islamike të "tipit të filozofit" (falasifah). Por në thelb intelektualët myslimanë e panë Aristotelin me sytë e neoplatonikëve. Është karakteristike se në literaturën arabe filozofike qarkullonin me emrin e këtij filozofi vepra me prirje neoplatonike, si "Theologjia e Aristotelit", e cila në thelb ishte përpunimi i "Eneadës së Plotinit".

Midis filozofëve myslimanë, Al Farabi (870-950) mori si themel të doktrinës së tij aristotelizmin me përmbishtresë metafizikën neoplatonike. Mjeku filozof pers Al-Razi (Muhammad ibn Zakariya) zhvilloi filozofi më tepër platonike sesa neoplatonike apo neopitagoriane, ndërsa persiani Ibn Sina, Avicenna (980- 1037), i konsideruar si filozofi kryesor mysliman, në thelb është neoplatonik. Në filozofinë islamike mbizotëroi përfundimisht përpjekja për të bërë sintezën e mendimit platonik dhe aristotelik, që ishte iniciuar në shkollat filozofike helenistike dhe në shumë ambiente të krishtera.

4. Në mendimin më të ri filozofik, termi "logos" përdoret:
a) Me nocionin antropologjik, duke treguar fuqinë logjike dhe natyrën e njeriut, e cila vepron me mendimin dhe gjykimin, që u kundërvihet instinkteve. b) Në kornizat linguistike, me nocionin e intelektit si burim i të gjitha dijeve. c) Në gnoseologji (filozofia e njohjes dhe e aftësive njerëzore të të mësuarit), u përgjigjet shpesh çifteve të termave "orthos logos - arsye e drejtë, racionalizëm", "katharos logos - arsye e pastër", "praktikos logos - arsye praktike", "apokron logos - gjykim". Sipas përcaktimit të filozofit të shquar gjerman Emanuel Kant (1724- 1804), "arsyeja e pastër" (Reine Vernuft) shfaq arsyen njerëzore në vetvete, me kategoritë e saj të natyrshme dhe që nuk ka lidhje me eksperiencën.

Një lloj kthimi në metafizikën e Heraklitit bëhet nga Georg Hegel (1770-1831), filozof i idealizmit objektiv dhe historik, i cili përdor termin logos si idenë absolute logjike, frymën absolute, që është fillimi i të gjithave. Kjo veteksternalizohet dhe fiton përsëri unitetin e mëparshëm. Njeriu që mendon, diferencohet nga kafsha, e cila nuk zotëron këtë aftësi për të kuptuar. Prandaj edhe vetëm njeriu ka fenë. Për Hegelin, "logos-i-arsyeja zotëron botën".

Siç duket nga kjo referencë fare sinoptike në disa anë të kuptimit të termit logos dhe Logos, përdorimi i saj sjell në kujtesën tonë një pasuri të pafundme të mendimit njerëzor dhe çel horizonte të mrekullueshme.

Vizioni dhe përpjekja jonë janë që bërthama e sotme akademike me emërtimin "Kolegji Universitar Logos" të zhvillohet në mënyrë graduale me degë të reja shkencore, duke shfrytëzuar krijimtarinë e së shkuarës dhe arritjet e reja të kërkimit mbarënjerëzor, duke e pasur vështrimin të ngulitur fort në të ardhmen. Një institucion arsimor intelektual, pa paragjykime dhe përjashtime të së ndryshmes, që do t'u shërbejë të gjithëve me respekt ndaj lirisë dhe veçantisë së çdo personi që jep mësim apo mëson, duke u përkujdesur për zhvillimin më të mirë të personalitetit të të gjithëve. Ne këtë mënyrë do t'i jepen shoqërisë shkencëtarë të formuar, që do të punojnë në mënyrë krijuese për përparimin e saj.

Një Universitet dinamik me perspektivë të çelur, mbarënjerëzore, universale, (universal, Universitar) që do t'i shërbejë arsimit, shkencës, hulumtimit, shoqërisë, që do të përdorë në mënyrë kreative dhuratën shumë të vyer të fjalës, të burimit të njohjes, duke marrë frymë dhe fuqi nga Fjala e Përjetshme, Logos-i, i Cili gjallëron çdo njeri dhe mbarë botën.