Loading....

Presidenti


ANASTASIOS YANNOULATOS

ANASTASIOS YANNOULATOS, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë (1992-) është Profesor Nderi i Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1992-), Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës (2005-), Senator Nderi i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve - Salzburg, Austri (2019 -). Ai ka kombinuar njohuritë theologjike, kërkimet dhe shkrimet me dëshminë e krishterë, diakoninë baritore dhe përpjekjet sociale.

Lindi në Pire, Greqi (4 nëntor 1929). Studioi theologji në Universitetin e Athinës (1947-1952) dhe u diplomua me vlerësimet më të larta. Vazhdoi studimet pasuniversitare në Historinë e Religjioneve, Mision dhe Etnologji në Universitetet e Hamburgut dhe Marburgut në Gjermani, me bursë nga Fondacioni Alexander von Humboldt. Ai u bë Doktor i Theologjisë (Th.D.) i Fakultetit Theologjik të Universitetit të Athinës (summa cum laude me çmim të veçantë) (1970). Ai flet greqisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe shqip; lexon greqishten e lashtë, latinisht, italisht dhe spanjisht (ai ka punuar me dy gjuhë afrikane).

(Në Fushën Akademike)

Ai ka qenë Profesor i Historisë së Religjioneve (1972–1991) dhe Dekan i Fakultetit Theologjik të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës (1983–1986). Ai ka qenë Anëtar Korrespondent i Akademisë së Athinës (1993-2005).

Studioi dhe njohu religjione të ndryshme - Hinduizmin, Budizmin, Taoizmin, Konfucianizmin, Islamin, religjionet afrikane - në vendet ku këto lulëzojnë (Indi, Tailandë, Sri Lanka, Kore, Japoni, Kinë, Kenia, Ugandë, Tanzani, Nigeri, Meksikë dhe Karaibe).

Ai është vlerësuar me Doktorata Nderi të Theologjisë ose Filozofisë nga njëzet Universitete ose Shkolla Universitare ose Departamente (Greqi, SHBA, Rumani, Qipro, Gjeorgji, Shqipëri dhe Itali). Atij iu dha titulli Profesor Nderi i Fakultetit të Administrimit të Biznesit të Universitetit të Atikës Perëndimore (2020-). Atij iu dha vlerësimi më i lartë shkencor i Universitetit Aristotel të Selanikut, "Aristoteli i Artë" (2018).

Ai ka shkruar dhe ka botuar 24 libra (kërkime religjioze, ese misionare, spiritualitet orthodhoks) dhe më shumë se 200 studime dhe artikuj me tema theologjike dhe religjioze. Librat dhe tekstet e tij janë përkthyer në 17 gjuhë (shih bibliografinë e bashkangjitur).

(Kisha dhe Diakonia Sociale)

U dorëzua Dhjakon (1960), dhe si Prift mori titullin e Arkimandritit (1964), Episkop si Episkop i Andrusës dhe u bë Drejtori i Përgjithshëm i "Diakonia Apostolike e Kishës së Greqisë" (1972-1991). Ai luajti një rol nismëtar në rindezjen e misionit të huaj orthodhoks (që nga 1958). Kryepiskop veprues (Locum Tenens) i Mitropolisë së Shenjtë të Irinoupolis (Afrikë Lindore: Kenia, Ugandë, Tanzani) ku edhe realizoi një punë të gjerë misionare dhe sociale. Ai u njoh si "Bamirësi i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë dhe të gjithë Afrikës" (2009).

Si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë (1992-), brenda rrethanave jashtëzakonisht të vështira, ai arriti të restauronte dhe rindërtonte Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila ishte shpërbërë plotësisht për njëzet e tre vjet. Ai zhvilloi një punë të shumanshme në fushat e arsimit, kujdesit shëndetësor, kulturës, mjedisit dhe projekteve humanitare dhe të mirëqenies sociale. (Për të krijuar vende të bashkimit shpirtëror midis njerëzve dhe me Perëndinë, ai ngriti 155 kisha të reja, restauroi 63 kisha të hershme dhe riparoi 160 kisha të dëmtuara. Për më tepër, ai mori iniciativën për ndërtimin e më shumë se 70 ndërtesave të tjera - shkolla, klinika, qendra rinore etj.). Ai është përpjekur pa u lodhur për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve të shumta në Ballkan. Në vitin 2000, pas propozimit të tridhjetë e tre anëtarëve të Akademisë së Athinës dhe shumë personaliteteve të Shqipërisë, ai është nominuar për Çmimin Nobel për Paqen.

Ai është zgjedhur shpesh në pozicione të dalluara udhëheqjeje në Organizata Ndërkombëtare. Ai u zgjodh: Anëtar i Grupit Punues theologjik të KBK-së (WCC) mbi Dialogun me njerëz të Besimeve dhe Ideologjive të Gjalla (1974-1983). Moderator i Komisionit të Ungjillizimit dhe Misionit Botëror (1984-1991). Anëtar i Këshillit Evropian të Liderëve Religjiozë (ECRL) (2001-2012). Nënkryetar i Konferencës së Kishave Evropiane (2003-2009). President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013). President Nderi i Konferencës Botërore të Religjioneve për Paqen (2006-).

Ai është nderuar me medalje dhe tituj (30) të shumë Kishave Orthodhokse dhe vendeve të ndryshme duke përfshirë Kryqin e Madh të Urdhrit të Nderit të Republikës Greke (1997); Çmimin Athenagoras për të Drejtat e Njeriut, 2001 (New York); Çmimin për "veprimtari të shquara për unitetin e Kombeve Orthodhokse", 2006 (Moskë); Medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga Presidenti i Shqipërisë (2010) për "kontributin e tij në harmoninë religjioze dhe bashkëjetesën paqësore në Shqipëri"; Çmimin Klaus Hemmerle të lëvizjes ndërkombëtare Fokolare (Aachen, Gjermani 2020) për përpjekjet e tij si "ndërtues urash midis komuniteteve religjioze dhe popujve të ndryshëm".

Kontributet i tij në theologji, në martirinë e krishterë, në afrimin ndërkristian, në dialogun ndër-religjioz dhe në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe komuniteteve religjioze janë të njohura ndërkombëtarisht

BIBLIOGRAFIA