Loading....

Misioni

MISIONI DHE VEPRIMTARIA E DEPARTAMENTIT

Vizioni

Departamenti i Agrobiznesit synon të jetë një qendër akademike bashkëkohorë studimi, kërkimi dhe transferimi te njohurive në fushën e menaxhimit të agrobiznesit me kurrikula inovative, ku studentet e diplomuar te gjejnë veten e tyre dhe te kontribuojnë me dije e profesionalizëm ne fushat e ekonomisë bujqësore, menaxhimit te ndërmarrjeve, financës, kontabilitetit, marketingut, agroturizmit, etj.

Misioni

Misioni i Programit Profesional në Agrobiznes me profile “Menaxhim i Fermës Bujqësore” dhe “Marketing i Produktit Bujqësor” është formimi i specialistëve në sektorin e agrobiznesit. Ky program studimi ofron mundësi për t’u njohur në mënyrë konkrete me menaxhimin e fermave bujqësore, marketingun e produkteve bujqësore dhe proceset e agro-përpunimit. Ne i drejtojmë studentët tanë në zotërimin e disiplinave thelbësore të fushës qe të përgatiten për mjedisin global dinamik të industrisë së agrobiznesit dhe biznesit në tërësi.

Programet tona

Si një nga departamentet e fakultetit ekonomik, programi ynë me karakter profesional synon të përgatisë studentët të mendojnë për biznesin dhe agrobiznesin në dimensione të shumta, duke dhënë njohuri thelbësore.

Ky program përgatit specialistë të aftë si sipërmarrës që mund të organizojnë biznese të vogla dhe të mesme private; t’i menaxhojnë ato, të marketojnë produktet bujqësore, të vendosin çmimet e produkteve bujqësore, të respektojnë të drejtat dhe detyrimet e biznesit, të përballojnë me sukses konkurrencën në fushë. Kjo diplomë i ndihmon studentët të punësohen në firmat rajonale dhe kombëtare të agrobiznesit dhe agjencitë e produkteve bujqësore.

Ndjekja e studimeve në profilin “Agrobiznes”, do t’u japë studentëve një mundësi më shumë për të gjetur veten të përfshirë në sipërmarrjen dhe menaxhimin aktiviteteve të Agrobiznesit.

Kërkesat për këtë program mendohet se do të vijnë duke u rritur, pasi në përgjithësi, Agrobiznesi është perspektiva bazë e zhvillimit ekonomik në vende në zhvillim.

Studentët e diplomuar në programin “Agrobiznes”, kanë kualifikimin e nevojshëm për të punuar në një numër të madh fushash si: Menaxhimi i ndërmarrjeve që ofrojnë inpute për fermat bujqësore, Menaxhimin e fermave bujqësore të orientuara nga tregu, Menaxhimin e ndërmarrjeve të përpunimit të produkteve bujqësore, Agjenci të ndryshme shtetërore, Sistemin bankar dhe atë te mikrofinancës, Nivelin e politik-bërjes, Institucione të tjera publike dhe private, etj.

Programi ynë i studimit me karakter profesional në Agrobiznes përmban dy profile :

  1. Menaxhim i Fermës Bujqësore
  2. Marketing i Produktit Bujqësor

Programi Profesional në Agrobiznes me profile “Menaxhim i Fermës Bujqësore” dhe “Marketing i Produktit Bujqësor” është program që ofrohet pas arsimit të mesëm. Ky program organizohet me 120 kredite ECTS, ofrohet me kohë të plotë, me kohëzgjatje akademike 2-vjeçare. Studimet në këtë program ofrohen në gjuhën shqipe. Ky program studimi i takon nivelit të 5-të të studimeve sipas Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Në përfundim të studimeve lëshohet “Diplomë Profesionale në Agrobiznes me profil “Menaxhim i Fermës Bujqësore”dhe “Diplomë Profesionale në Agrobiznes me profil “Marketing i Produktit Bujqësor”.

Programi ynë nuk përgatit vetëm menaxherë të agrobiznesit të cilët janë të aftë të punojnë vetëm në fushën në të cilën ata janë diplomuar por ata janë të aftë të përballojnë me sukses punën në fushën e sipërmarrjes, burimeve njerëzore, marketingut, kontabilitetit, financave etj.

Kurrikulat tona kanë një spektër prej katër dimensionesh kontekstuale (si më poshtë), dhe sjellin një këndvështrim ndërdisiplinor. Këto kurrikula i drejtojnë studentët tanë në zotërimin e disiplinave thelbësore të fushës që të përgatiten kryesisht si menaxhere te agrobiznesit me njohuri te thelle te menaxhimit te fermës dhe te marketingut te produkteve bujqësore.

Menaxhim Agrobiznesi , Politika e menaxhimit te agrobiznesit, bazat e ekonomisë agrare, ekonomi bujqësore, extension bujqësor

Modulet e menaxhimit te agrobiznesit, politikat e menaxhimit te agrobiznesit, bazat e ekonomisë agrare, ekonomi bujqësore, extension bujqësor, plotësojnë këto dimensione në mënyrë integrale, ato ofrojnë mundësi për studentët që të arrijnë të kenë një kuptim tërësor menaxhues të fushës dhe/ose të njihen me themelet e menaxhimit të agrobiznesit, bazat e ekonomisë agrare dhe bujqësore, në kontekstin e zhvillimit strategjik të fushës në një botë globale gjithashtu të fitojnë njohuritë e aftësitë e duhura të cilat lidhen me vendimmarrjen organizative.

Teknologjia e informacionit, mbledhje e përpunim te dhënash

Modulet e teknologjisë së informacionit dhe mbledhjes e përpunimit te te dhënave, plotësojnë një dimension tjetër në formimin e studentit. Ato ofrojnë mundësi për ta që gjatë jetës së tyre profesionale të angazhohen dhe të përdorin teknologjitë e informacionit, të kryejnë kërkime e analiza statistikore, të ekzaminojnë rolin që luajnë teknologjitë inovative dhe/ose risitë në formimin e organizatave dhe të sillen në mënyrë fleksibile me zhvillimet e botës së biznesit.

Kreativiteti dhe arti i menaxhimit e sipërmarrjes në biznes

Modulet e sipërmarrjes, marketingut, sjelljes konsumatore, projekteve nxisin dimensionin kreativ të artit të të menaxhuarit. Ato ofrojnë mundësinë e krijimit të aftësive vlerësuese në qëndrueshmërinë e alternativës menaxhuese të adaptuar nga biznesi, organizata, industria e turizmit apo sipërmarrja e re, njëkohësisht ato ndihmojnë studentët që të kuptojnë dimensionin tregtar të shërbimeve, prodhimit dhe shpërndarjes.

Parimet bazë të kontabilitetit, e drejta e biznesit dhe ndërlidhja me menaxhimin e biznesit

Modulet e kontabilitetit dhe të drejtës së biznesit, plotësojnë dimensionin ndërdisiplinar duke ju ofruar një mundësi tjetër studentëve të fushës së menaxhimit të pajisen me një kuptim të thelluar të marrëdhënies komplekse midis bizneseve, organizatave, qeverive kombëtare dhe institucioneve globale (p.sh., ndikimi i kornizave rregullatore dhe politikave publike e financiare), por edhe me aftësi të thelluara në fushën e financës dhe kontabilitetit duke e bërë shumë të lehtë për ta adoptimin për të punuar në sektorë të tjerë të ekonomisë.