Hirësi, Mitropoliti i Korçës,
I nderuar zoti Rektor,
I nderuar zoti Administrator,
Të nderuar personel akademik dhe administrativ,
Të dashur të ftuar dhe të dashur studentë,
Zemra jonë sot bashkohet me gëzimin tuaj, duke parë frytet e mundimeve tuaja të piqen. Arsimimi i vërtetë nuk pasurohet vetëm me informacione, por, gjithashtu, nevojitet të ndriçohet mendja dhe të kultivohet një jetë shpirtërore. Për këtë arsye kolegji ynë me emrin LOGOS mbart njëkohësisht edhe këtë kuptim të thellë. Në Shkrimin e Shenjtë, drita dhe njohuria ecin gjithmonë së bashku. Që nga çasti i parë i Krijesës - "U bëftë dritë" - deri te fjalët e Jisuit: "Unë jam drita e botës", drita është simbol i së vërtetës dhe i jetës. Ku ka dritë, aty ka kuptim; ku ka njohuri, aty shkëlqen e vërteta. Me dritën mposhtet errësira - jo me dhunë, por me praninë e saj të qetë. Kështu edhe njohuria nuk lufton padijen me agresivitet, por e shpërbën atë me fuqinë e së vërtetës. Ashtu si një qiri që ndez qirinj të tjerë nuk e humb flakën e vet, kështu edhe njohuria që ndahet me të tjerët nuk pakësohet - përkundrazi, shumohet. Vetëm kështu dhuratat tuaja do të bëhen dritë për ju dhe për të tjerët.
Bijtë e mi, njohuria vetëm nuk mjafton. Dikush mund të dijë shumë dhe të mbetet në errësirën e zemrës. Kur isha i ri, në vitet e vështira që po kalonte vendi ynë, më ra rastësisht në dorë Ungjilli. Kur e lexova, kuptova se urtësia e vërtetë nuk është thjesht informacion - është ndryshim i zemrës. Është njohuria që shoqërohet me dashuri, me përulësi, me dëshirën për të dhënë.
Në arsimin tuaj keni fituar njohuri të vlefshme që do t’ju ndihmojnë në rrugëtimin e jetës suaj. Por, njohuria pa dashuri mund të kthehet në egoizëm, ndërsa me dashuri bëhet dhuratë dhënieje. Për këtë arsye Apostulli Pavli thotë: "Njohuria e bën njeriun arrogant, kurse dashuria ndërton" (1 Kor.8:1), sepse vetëm dashuria është ajo që e shndërron njohurinë në urtësi dhe vetëm urtësia do t’i japë jetës dhe qenies suaj dimensionin e plotë.
Mos harroni kurrë se nuk ecim vetëm. Njeriu është një qenie komunitare, ku çdo person ka përgjegjësi, jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët rrotull tij. Jemi pjesë e një mozaiku të madh - ku çdo gur, çdo ngjyrë, çdo njeri ka vendin e tij dhe dhënien e tij. Asnjë mozaik nuk është i bukur me një gur të vetëm; bukuria e tij është në harmoninë e të gjitha copave së bashku. Kështu edhe në shoqëri, në Kishë, në jetë: nga ndarjet dhe mosmarrëveshjet të gjithë jemi të humbur; nga uniteti dhe dashuria, të gjithë fitojmë.
Çfarëdo që të bëni në jetën tuaj, ta bëni me dashuri, falënderim dhe mirënjohje - për Perëndinë, për vendin ku keni lindur dhe keni jetuar, për prindërit që me sakrifica ju rritën dhe ju arsimuan, për mësuesit tuaj, për të afërmin dhe për çdo gjë të mirë. Sepse dashuria është ajo forcë që bashkon, që ndriçon, që i jep kuptim çdo njohurie. Është ajo që motivon çdo sakrificë. Sakrificat mund të duken të vështira, por janë ato që sjellin një gëzim në jetë. Një jetë pa gëzim është një jetë e gjymtuar dhe gëzimi gjendet atje ku është dashuria, sakrifica dhe falënderimi. Nuk ka gëzim atje ku është e keqja - thotë profeti Isaia.
Mbani gjallë entuziazmin tuaj, etjen për përparim, gëzimin e krijimit. Pa entuziazëm, njohuria bëhet e mërzitshme. Pa dëshirën për përmirësim të vazhdueshëm, mbetemi në vend dhe nuk përparojmë. Pa gëzimin e krijimit, humbim kuptimin e mundimit tonë. Vetëm kështu arsimimi juaj do të shndërrohet në bekim për ju, për familjet tuaja dhe për vendin tonë.
Gjithashtu, do të doja t’ju jepja edhe dy këshilla të vlefshme, të cilat, mendoj, do ta mbushin jetën tuaj me paqe e gëzim dhe do t’ju mbrojnë nga shumë rreziqe që do të hasni në jetën tuaj.
Së pari: Kini kujdes nga kultura e ankimit që ka mbërthyer shoqërinë tonë sot. Kjo është një kulturë shkatërruese që gërryen vizionin e vërtetë dhe krijon një botë dhe gjendje të qenies ku nuk mund ta ndiejmë praninë e Zotit - një prani që sjell mirënjohje, siguri dhe gëzim. Fatkeqësisht, kjo kulturë ka pushtuar gjithçka - aq shumë saqë nëse dikush nuk ankohet, njerëzit mendojnë sikur diçka nuk shkon mirë me të. Ankimi është bërë një gjë e natyrshme dhe nuk e shohim më dëmin e madh shpirtëror që e shoqëron atë. Kjo kulturë është vdekjeprurëse. Ajo ndryshon vizionin e vërtetë, shkatërron unitetin shpirtëror dhe errëson mendjen. Vetëm mirënjohja në shpirt pastron mendjen, largon ankthin ekzistencial dhe hap një vizion më të qartë të botës. Falënderimi është shenja e besimit dhe njohurisë së vërtetë.
Së dyti: Ruajeni lirinë e vërtetë. Meqenëse ajo është diçka bazike për njeriun, është gjithmonë i rëndësishëm një kuptim i drejtë i saj, i rolit të saj në jetën e njeriut. Dinjiteti njerëzor ngrihet pikërisht mbi lirinë e tij. Të gjitha arritjet më të larta njerëzore janë bërë nga mirushtrimi i lirisë. Nga kequshtrimi i saj, tragjikisht, janë bërë edhe fatkeqësitë më të mëdha të njerëzimit. Ajo është në themel të qenies njerëzore dhe ushtrimi i saj, për mirë apo për keq, ka pasur gjithmonë pasoja të jashtëzakonshme për njeriun.
Liria nuk mund të ndahet nga përgjegjësia. Shëmbëlltyra e djalit plangprishës është ilustrimi më i mirë i kësaj. Nëse ajo nuk do të jetohet në kushtet e përgjegjësisë, jo vetëm që nuk do të jemi të lirë, por do të na skllavërojë. Me të drejtë psikiatri dhe filozofi i dëgjuar Viktor Frankl shkruan “Liria është vetëm aspekti negativ i tërësisë së fenomenit, aspekti pozitiv i së cilit është përgjegjësia. Për këtë arsye rekomandoj që Statuja e Lirisë në bregun lindor të plotësohet nga një Statujë e Përgjegjshmërisë në bregun perëndimor”.
Shën Vasili i Madh thotë se dogmat qëndrojnë jo për të penguar lirinë tonë të mendimit, por për të na mbrojtur ne nga mendja jonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kufizimet etiko-morale; ato nuk janë për të penguar lirinë tonë, por për ta mbrojtur atë. Ato janë si ato muret mbrojtës në rrugët malore, të cilat nuk janë për të kufizuar lirinë e shoferit, por për ta mbrojtur të mos bjerë në greminë. Pa këtë mbrojtje mundësia e rënies është shumë më e madhe.
Ndërsa filloni udhëtimin tuaj të ri, le të mbeten gjithmonë në zemrat tuaja këto fjalë të Psalmistit: "Në dritën tënde shohim dritën". Në dritën e Perëndisë do të shihni çdo dritë - të njohurisë, të urtësisë, të dashurisë, të vetë jetës. Lutem vazhdimisht që t’ju shoqërojë bekimi i Tij dhe të bëheni bartës drite dhe paqeje në një botë që aq shumë ka nevojë për to.
Në përfundim dua të shpreh mirënjohjen time për prindërit tuaj që ju mbështetën gjatë gjithë viteve të studimeve dhe nderim për mësuesit tuaj që përcollën tek ju njohuritë e tyre.
Të gjithë ju që diplomoheni sot ju uroj suksese në punën dhe jetën tuaj!